Ka përfunduar xhiro e 10-të në Albi Mall Superligë me disa ndeshje shumë interesante.
Kampoioni në fuqi Ballkani është ndalur në barazim nga Dukagjini 0-0, derisa edhe Drita nuk ka marrë më shumë se një pikë nga udhëtimi te Malisheva 0-0.
Suhareka është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur Prishtinën 2-1, derisa fitore para adhuruesve të vet ka marrë edhe Gjilani me rikthim 2-1 ndaj Llapit.
Ferizaj ka vazhduar me fitore, teksa ka triumfuar 0-1 në udhëtim te Feronikeli ’74.
Telegrafi Sport si gjithmonë sjell formacionin më të mirë të javës në Albi Mall Superligë, ku kësaj radhe dominohet nga futbollistët e Suharekës dhe Gjilanit.
Portieri:
Betim Halimi e nisi nga banka ndeshjen ndaj Prishtinës me fanellën e Suharekës, por inkuadrimi i tij në lojë i ka sjell fat skuadrës vendase.
Halimi priti penallti në minutën e 97-të, duke qenë vendimtar në triumfin e suharekasve. Përveç penalltisë së pritur, gardiani gjilanas kishte edhe disa intervenime mjaftë të mira.
Mbrojtja:
Filip Gligorov ka qenë i pakalueshëm në fitoren e Ferizajt 0-1 në udhëtim te Feronikeli ’74. Anësori maqedonas shkëlqeu si në defensivë ashtu edhe në ofensivë duke qenë ndër më meritorët për triumfin e ‘Ujqve’.
Në qendër të mbrojtjes vijnë dy mbrojtës veteran si Bajram Jashanica i Ballkanit dhe Arbër Prekazi i Malishevës. Të dy ishin më të mirët për skuadrat e tyre në barazimet 0-0 ndaj Dukagjinit, respektivisht Dritës.
Ndërkohë në krahun e majtë të mbrojtjes është Ylli Ibrahimi i Gjilanit. Anësori fantastik ka shkëlqyer në duel ndaj Llapit, derisa e neutralizoi Elvir Gashijanin për gjatë 90 minutave.
Mesfusha:
Met Millaku ka qenë fantastik në duel me Ballkanin. Mesfushori defensivë ndërpreu shumë aksione dhe ishte lider i Dukagjinit në barazimin pa gola 0-0 me Ballkanin. Ergys Kaçe ka kapur formën më të mirë me Gjilanin. Ylli shqiptar ishte fantastik në rikthimin e Gjilanit 2-1 ndaj Llapit. Ai ndërpreu shumë aksione, derisa thuajse çdo aksion i Gjilanit rrjedhi nga këmbët e tij duke qenë dirigjent në mesfushë.
Robert Rrahmani ka vazhduar shkëlqimin me Gjilanin, duke qenë vendimtar në fitoren e Gjilanit 2-1 ndaj Llapit. Mesfushori mitrovicas shënoi golin e dytë, derisa ishte rreziku kryesor për llapjanët.
Sulmi:
Liridon Fetahaj dhe Mevlan Zeka janë nga Suhareka në formacionin e javës. Dy sulmuesit realizuan nga një gol, derisa gjakovari Zeka kontribuoi edhe me një asistim pikërisht te Fetahaj.
Falë kësaj dyshe Suhareka u rikthye te fitoret pas tre humbjeve radhazi.
Në sulm është edhe irlandezi Abdeen Tempitope Abdul i Ferizajt që edhe këtë javë ishte vendimtar për ‘Ujqit’. Abdul realizoi golin e vetëm në fitoren e ferizajasve 0-1 në udhëtim te Feronikeli ’74.
Trajneri i javës:
Ardian Nuhiu është trajneri i javës së 10-të në elitën e futbollit kosovar. Gjilani shkëlqeu ndaj Llapit edhe pse golat e fitores u shënuan në minutat e fundit të ndeshjes. Bardhekuqtë dominuan gjatë gjithë ndeshjes, derisa dora e Nuhiut u vërejt edhe tek zëvendësuesit që i sollën fitoren bardhekuqve. /Telegrafi/