Site icon Telegrafi

Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh

Në një botë ku shumëkush synon të kapërcejë kufijtë për një jetë më të mirë, Eroll dhe Gjyljeta Zhubi vendosën të bëjnë të kundërtën.

Pas 32 vitesh në Gjermani, ata u kthyen në Mitrovicë për të ndërtuar një jetë të re në vendlindje, aty ku ajri mbush shpirtin dhe ndjenja e shtëpisë nuk ka çmim.

Rikthimi në Kosovë ishte ëndërr e hershme e çiftit Zhubi. Në shtator të këtij viti, ata e realizuan këtë ëndërr, duke hapur një dyqan zdrukthëtarie. Kjo punëtori nuk është vetëm një biznes, por një projekt për të ringjallur një zanat të vjetër që mbart histori dhe kujtime.

“Gjithmonë e kemi pasur në mendje Kosovën. Vendimi për t’u kthyer ishte i gjatë, por erdhi koha dhe shyqyr Zotit, jemi këtu,” thotë Erolli.

Erolli, që prej fëmijërisë ka pasur pasion punën me dru, tregon se për të druri është një material i gjallë, me një lidhje unike. Ai prodhon tavolina, mbajtëse qirinjsh dhe produkte të tjera artizanale me epoksid, duke sjellë një stil evropian në Kosovë.
“Druri ka shpirt. Ai ndërron formën dhe jeton, prandaj është kaq i veçantë,” thotë ai.

Gjyljeta jo vetëm që ndihmon me shitjen e produkteve, por kontribuon edhe me ide kreative. “Ne punojmë së bashku dhe kalojmë shumë kohë duke krijuar ide të reja. Çdo fillim është i vështirë, por jam e emocionuar nga mbështetja që kemi marrë,” thotë ajo.

Sfida dhe shpresa

Edhe pse kthimi i tyre u prit me reagime të përziera, ata qëndrojnë të vendosur. “Disa thonë se nuk është normale të kthehesh, ndërsa të tjerët na lavdërojnë. Për ne, vendimi ishte i qartë: të jetojmë aty ku e ndjejmë veten të lirë,” shprehet Erolli.

Pjesëmarrja në panaire dhe interesimi i qytetarëve për punimet e tyre i ka dhënë çiftit një shtysë të madhe për të vazhduar. “Populli ynë na ka dhënë shumë mbështetje, dhe kjo na motivon të qëndrojmë këtu,” tregon Gjyljeta.

Një mesazh për të rinjtë

Erolli u bën thirrje të rinjve të Kosovës të mos braktisin vendin. “Këtu ka mundësi. Është ndryshe kur je në atdheun tënd, pranë njerëzve dhe kulturës tënde,” përfundon ai.

Rikthimi i çiftit Zhubi është shembull i guximit për të ndjekur ëndrrat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në vendlindje./Telegrafi/

Exit mobile version