Site icon Telegrafi

Nga edicioni 2023/24, futbolli kosovar nisë me ndryshime të mëdha

Foto: ffk-kosova.com

Duke filluar nga edicioni 2023/24 në futbollin kosovar do t’i nisë garat edhe Liga U21. KE i FFK-së, në mbledhjen e fundit, ka marrë vendim për organizimin e kësaj lige, kurse pjesë e saj do të jenë ekipet e Superligës.

Qëllimi i kësaj lige është që futbollistëve të kësaj moshe, të cilat po hasin vështirësi të gjejnë hapësirë në ekipin e parë, t’u jepet mundësia të qëndrojnë në formë, të zhvillohen dhe t’i tregojnë vlerat e tyre në vazhdimësi, në mënyrë që të përgatiten për të qenë pjesë e ekipit të parë.

Përvoja e hershme profesionale është çelësi për të pasur sukses në futboll, prandaj edhe ekzistimi i Ligës U21 do të jetë i mirëseardhur për futbollistët nën moshën 21-vjeç, ngase përqindja e minutave të luajtura nga ana e tyre në Albi Mall Superligë është kryesisht e vogël.

Lexo po ashtu Orari i ndeshjeve të 1/8 së finales në Kupën e Kosovës

FFK do t’ua mundësojë ekipeve që në këtë ligë të përfshijnë edhe dy futbollistë deri në moshën U23, të cilët për shkaqe të ndryshme (si rukuperimi nga lëndimet apo rënia e formës) qëndrojnë larg skuadrës së parë. Ndërkaq, të drejtë loje do të kenë edhe lojtarët më të rinj se sa U21, nëse një gjë të tillë e shohin të arsyeshme klubet.

Më herët KE i FFK-së kishte vendosur që nëse klubet janë të interesuara të nisë Liga B (ku do të luanin futbollistët që nuk gjejnë hapësirë të mjaftueshme në ekipet e para), por meqenëse vetëm Ballkani kishte shprehur interesim për atë ligë, ajo nuk arriti të implementohet.

Megjithatë, kësaj radhe Liga U21 është obligative për të gjitha klubet e Superligës dhe si e tillë do të nisë së zbatuari nga edicioni i ri. Prandaj, FFK u kërkon klubeve që sa më herët të fillojnë përgatitjet për organizimin e ekipeve U21, ngase krijimi i kësaj lige edhe sipas ekspertëve të fushës vlerësohet shumë i rëndësishëm për progresin e mëtutjeshëm të cilësisë së Superligës dhe futbollit tonë në përgjithësi.

Exit mobile version