Pas pushimit disa javësh, ndjekësit e “Revolucionit laraman” në Shkup, të hënën do të tubohen sërish, kësaj radhe para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për të dhënë përkrahje për Prokurorinë speciale publike e cila sipas tyre sërish është nën shënjestër të pushtetit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
„Ju ftojmë që të hënën, më 26.09.2016, në ora 17 para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në një tubim publik në përkrahje të PSP. Pas pushimeve verore, PSP sërish është në shënjestër të zëdhënësve të regjimit. Gjatë kësaj periudhe në Kuvend dhe në mediat nën kontroll të të akuzuarit Gruevski, mund të vërehet një propagandë kundër Katica Janeva dhe tërë PSP. Njëkohësisht, pushteti me të cilin udhëheq i akuzuari Gruevski e shfrytëzon çdo mundësi për ta bllokuar punën e këtij institucioni“, thuhet në apelin e tyre në rrjetin social në Facebook.
Nga “Revolucioni laraman” përkujtojnë që Gjykata Kushtetuese akoma nuk ka caktuar seancë në të cilën do të shqyrtohet Iniciativa për kushtetutshmërinë e PSP.
Konsiderojnë që PSP përsëri ka nevojë për ndihmën e tyre që të mos lejohet që “regjimi të mendojë se ky institucion madje edhe për një çast është pa përkrahjen e fuqishme, të bashkuar dhe të vendosur të qytetarëve! Deri sa nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë qetësi!, porosisin ata./Telegrafi/