Site icon Telegrafi

Nga djegia e hamulloreve po digjen edhe asetet energjetike

KEDS është mjaft i shqetësuar në lidhje me djegien e hamulloreve, pasi bashkë me to po digjen edhe asetet e distribuimit të energjisë elektrike, duke dëmtuar rëndë furnizimin me energji elektrike. Dëme në rrjetin elektrik, si të tensionit të lartë, ashtu edhe të tensionit të mesëm janë shkaktuar në të gjithë Kosovën.

Siç bëhet e ditur rajoni më i afektuar është ai i Prizrenit. Fshatrat e Hasit, përkatësisht Gorozhupi dhe Planeja si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga djegia e hamulloreve kishin mbetur pa energji elektrike rreth 48. Ekipet e KEDS-it kishin dalë menjëherë në terren dhe ishin ndihmuar edhe nga banorët, por terreni i thepisur dhe i ashpër e kishte pamundësuar rikthimin e energjisë elektrike në kohë më të shpejtë.

“Të afektuara mbesin edhe rajonet e Mitrovicës dhe Pejës, përderisa dëme ka në tërë Kosovën. Janë djegur dhjetëra shtylla, mijëra metra përçues, izolatorë e pajisje tjera energjetike. Në këtë situatë, KEDS kërkon nga banorët që t’i ruajnë asetet energjetike dhe të mos i ekspozojnë ndaj zjarrit apo shkaktarëve tjerë dëmtues, sepse ato sjellin beneficione për të gjithë. Kompania mbetet e përkushtuar për furnizim me energji elektrike për konsumatorët anembanë vendit. Sigurisht kujdesi ndaj aseteve dhe bashkëpunimi i ndërsjellë është lehtësim i madh në kryerjen e këtij misioni”, thuhet në njoftim.

Në këtë aspekt, KEDS i bashkohet apeleve për mos djegie të hamulloreve, pasi ato pos që dëmtojnë tokën dhe ambientin, po sjellin edhe dëme materiale.

Exit mobile version