Telegrafi

Nga Cuadrado te McKennie: Kush do të qëndrojë dhe kush do të largohet nga Juventusi

Juventus dhe Massimiliano Allegri thuhet se do të përdorin pesë ndeshjet e ardhshme të kampionatit para pushimit të Kupës së Botës për të vendosur se kush ka të ardhme në klub dhe kush jo.

La Gazzetta dello Sport shkruan se si Bianconerët po planifikojnë të ardhmen dhe duan të bëjnë një sërë vlerësimesh të qarta për lojtarët e tyre përpara Kupës së Botës në Katar që të nisë muajin e ardhshëm, e cila do të përfundojë pak para se të hapet afati kalimtar i janarit.

Dy rastet e para me të cilat Juventusi do të merret janë Juan Cuadrado dhe Alex Sandro, dy lojtarë të cilëve u skadon kontrata vitin e ardhshëm.

Paraqitjet e kolumbianit kanë rënë këtë sezon dhe nuk ka gjasa që atij t’i ofrohet një marrëveshje e re. Një situatë e ngjashme është edhe me brazilianin, i cili prej disa muajsh është nën standardin e kërkuar nga klubi.

Zonja e Vjetër është ende e pavendosur për mesfushorin Leandro Paredes, për të cilin ka një marrëveshje për blerjen e tij, por Juventusi ende nuk ka vendosur nëse do ta mbajë argjentinasin. Paraqitjet e tij do të duhet të përmirësohen në muajt e ardhshëm.

Weston McKennie ka të ngjarë të largohet nga Bianconerët në janar.

Pas kthimit të Paul Pogba , ai nuk ka gjasa të gjejë minuta të rregullta në Torino dhe ai nuk e ka bindur Allegrin, kështu që një ofertë prej rreth 20 milionë euro mund të jetë e mjaftueshme për të mbyllur një marrëveshje.

Më në fund është Moise Kean. Klubi e ka detyrim blerjen e tij nga Evertoni, por Juven është ende e pasigurt nëse do ta mbajë atë apo do ta transferojë diku tjetër./Telegrafi/