Ka përfunduar xhiro e 22-të në Albi Mall Superligë me disa rezultate mjaftë interesante.
Lideri aktual, Drita ka vazhduar me fitore teksa ka mposhtur Ferizajn 2-0, derisa Gjilani gjithashtu ka marrë fitore 1-2 në udhëtim te Suhareka.
Feronikeli ’74 është përkujdesur për befasinë e xhiros pasi ka mposhtur Dukagjinin 1-0, ndërsa Malisheva tregoi forcën përballë Ballkanit duke triumfuar 3-1.
E kryendeshja e kësaj jave mes Prishtinës dhe Llapit përfundoi me rezultat të bardhë 0-0.
Telegrafi Sport si gjithmonë ju sjell formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit kosovar.
Portier:
Marjan Coric ishte më meritori që Llapi u largua me një pikë nga kryeqyteti. Portieri kroat bëri disa pritje fantastike, derisa më e mira ishte ajo në pjesën e parë ndaj Gnapit. Shtatlarti ishte në ditën e tij më të mirë përballë Prishtinës.
Mbrojtësit:
Mbrojtja kësaj radhe vjen me tre qendërmbrojtës, që patën paraqitje të shkëlqyer. Egzon Bejtullai i Dritës ishte i pakalueshëm në mbrojtje, derisa dha kontribut të madh edhe në sulm në fitoren 2-0 ndaj Ferizajt. Bejtullai asistoi tek goli i parë i bardhekaltërve.
Lapidar Lladrovci ka lënë mbrapa lëndimin dhe është rikthyer për ta udhëhequr Feronikelin drejt një fitore të madhe 1-0 ndaj Dukagjinit. Lladrovci ishte i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes.
Fantastik në defensivë ishte edhe Ardi Ajdini që është rikthyer në formacionin bazë të Prishtinë. Ajdini ndali mirë dy sulmuesit e Llapit, Ardit Tahirin dhe Ahmed Januzin.
Mesfusha:
Leart Zekolli luajti më i avancuar për Feronikelin ’74 dhe ai tregoi cilësi duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Dukagjinit. Përveç golit Zekolli zhvilloi 90 minuta shumë pozitivë.
Robert Mathieu Ndjigi II ishte i pandalshëm në fitoren e Malishevës 3-1 ndaj Ballkanit. Mesfushori kamerunas dominoi në mesfushë, derisa dhuroi edhe një asistim në golin e dytë të Malishevës.
Albert Dabiqaj është rikthyer te golat në kampionat, derisa shënoi për 1-0 ndaj Ferizajt. Drita triumfoi me rezultat të pastër 2-0, derisa Dabi ishte më i miri në fushë.
Arlind Veliu ka vazhduar shkëlqimin edhe këtë javë në Superligë, teksa ka shënuar një gol spektakolar ndaj Ballkanit. Mbrojtësi i majtë ishte i pandalshëm, ndërsa me meritë mori edhe epitetin ‘Ylli i Javës’ nga FFK.
Sulmuesit:
Në krahun e djathtë është kroati Edi Basa, që shënoi një gol spektakolar nga distanca në fitoren e Gjilanit 1-2 në udhëtim te Suhareka.
E përkrahë tij është Senad Jarovic, i cili përveç golit nga pika e bardhë shkëlqeu gjatë gjithë ndeshjes, duke qenë rreziku kryesor për ekipin vendas.
Altiun Aliu është në krahun e majtë të sulmit pas një paraqitje brilante ndaj Ballkanit. Aliu shënoi golin e tretë, por gjatë 90 minutave krijoi disa raste të mira shënimi dhe ishte rreziku kryesor për kampionin në fuqi.
Trajner i javës:
Bekim Isufi i Malishevës është trajner i javës. Përkundër se ai u ndëshkua me karton të kuq pas 14 minutave lojë, Isufi kishte përgatitur ekipin në mënyrë të përkryer. Madje kishte lënë në bankë dy yjet si Hazrollaj dhe Brruti dhe mori një fitore 3-1 ndaj kampionit në fuqi ku Malisheva dominoi nga minuta e parë deri te e fundit. /Telegrafi/