Në Leskovc, lojtarët e Zvicrës pësuan humbjen e tretë në Ligën e Kombeve këtë edicion në po aq ndeshje, teksa u mposhtën nga Serbia me rezultat 2-0.
Helvetikët kishin mundësi ta ngushtonin epërsinë, mirëpo nga pika e bardhë dështoi të shënonte Breel Embolo për ta rihapur sfidën.
Pas ndeshjes, yjet zviceranë theksuan se sa keq kanë luajtur, por gjithashtu kanë bërë të ditur se nuk mund të bënin më mirë sepse fusha e stadiumit në Serbi ishte në gjendje të tmerrshme.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Manuel Akanji ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk ka luajtur në një fushë më të keqe.
“Nuk do të doja ta përdorja këtë si justifikim, por padyshim që nuk është e lehtë të luash në këtë lloj fushe. Kjo është një nga fushat më të këqija që kam luajtur në jetën time”, deklaroi Akanji.
Ndërkohë portieri i Zvicrës dhe Borussia Dortmundit, Gregor Kobel ka thënë se bllokimi që vendasit i bënë Xhakës bëri që helvetikët të humbasin.
“Fusha ishte jashtëzakonisht e keqe. Ne u përpoqëm të luanim, por ata e bllokuan mirë Granit Xhakën dhe ne nuk arritëm të përshtateshim. Kjo ishte padyshim një lojë e keqe për ne”, tha Kobel.
Zvicra është në pozitën e fundit në Grupin 4 të Ligës A në Ligën e Kombeve pa pikë, derisa të martën para adhuruesve të vet pret Danimarkën. /Telegrafi/