Telegrafi

Nga Beogradi e pyesin Kurtin nëse bashkimi me Shqipërinë është prioriteti i tij kryesor?

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka reaguar pas një deklarate të zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Fidan Ademi, i cili ka përmendur bashkimin e Kosovës më Shqipërinë.

Ademi, përmes një postimi në Facebook, tha se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të bëhet, me pushkë apo me referendum.

“Një ditë, patjetër, do bashkohet Shqipnia – prej grykë së pushkës, flakës së barotit a kutisë së referendumit! #ShqipniEtnike“, ka shkruar sot Ademi, përcjell Telegrafi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili përmes një postimi në Twitter,e ka pyetur kryeministrin dhe liderin e LVV-së, Albin Kurti, nëse “nënkuptojnë kërcënime të tilla me pushkë se krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’ është ndër prioritetet tuaja kryesore?”.

“A nënkuptojnë kërcënime të tilla me pushkë se krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’ është ndër prioritetet tuaja kryesore? Ku e vendosni dialogun në atë rast, në vendin e pestë apo më poshtë? Nuk ka vend për armë në tryezën e negociatave! E ardhmja është në paqe!”, ka shkruar Petkoviq. /Telegrafi/