Shefi ekzekutiv i Al-Nassr, Guido Fienga nuk ka dyshime se Cristiano Ronaldo është plotësisht i përkushtuar ndaj klubit dhe Ligës Pro Saudite.
Fienga ka detajuar se si është të punosh me një nga legjendat e futbollit botëror.
“Pas Cristianos ka vetëm Cristiano”, deklaroi ai në Samitin Botëror të Futbollit. “Ai nuk është thjesht një lojtar, ai po ndërton të ardhmen e industrisë së futbollit të këtij vendi”.
“Tani e bën nga fusha, më vonë do ta bëjë jashtë saj. Do të jetë në këtë projekt për një kohë të gjatë”.
Menaxheri italian, ish-drejtor ekzekutiv i Romës, vlerësoi portugezin për atë që mundi të ndërtonte përtej rolit të tij si futbollist: “Është kaq e rëndësishme sa nuk mund ta kufizoj. Roli i tij është më shumë se një lojtar. Nuk ka asnjë tjetër që pasi ka qenë më i miri në sportin e tij, ka dashur të bëjë realitet vizionin e tij të biznesit. Ai është protagonist sot dhe do të jetë edhe më shumë në të ardhmen”.
Ai shtoi: “Ata na perceptojnë si Real Madridi i këtij rajoni dhe ka pritshmëri të madhe. Ne duam të jemi një markë ndërkombëtare dhe baza jonë e tifozëve po rritet”. /Telegrafi/