Telegrafi

Nga 60 deri në 110 euro, zbulohen çmimet e biletave për turneun e Dua Lipës në Evropë, Amerikë dhe Australi

Foto: Dua Lipa/Instagram

Çmimet e biletave për turneun “Radical Optimism” të Dua Lipës në vitin 2025 tashmë janë zbuluar nga vet artistja pak ditë më parë, me koncerte të planifikuara në Australi, Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Ajo do të performojë në arena dhe stadiume, duke nisur turneun më 20 mars në Melburn, me koncerte të planifikuara në Sydney dhe Auckland.

Pjesa evropiane e turneut do të përfshijë qytete si: Madridi, Parisi, Hamburgu, Amsterdami, Milano dhe Liverpooli, si dhe koncertet e paralajmëruara më parë në stadiumin “Wembley”.

Pjesa e turneut në ShBA do të fillojë më 1 shtator në Toronto dhe këngëtarja do të performojë dy netë në secilin nga qytetet si: Chicago, Atlanta, New York, Miami, Los Angeles dhe më shumë.

Turneu mbështet albumin e saj të tretë, “Radical Optimism”, i cili përfshin këngët hit si “Training Season”, “Houdini” dhe “Illusion”.

Por cilat janë çmimet e biletave për Dua Lipën?

Çmimet e biletave janë konfirmuar për disa data të turneut. Këto janë çmimet e pritura për pjesën evropiane të turneut:

Çmimet për zonën në këmbë pritet të jenë 80,00 € plus TVSH, ndërsa çmimet për zonat e ulura pritet të jenë 60,00 € / 70,00 € / 80,00 € / 90,00 € / 110,00 € plus TVSH.

Për koncertet e këngëtares në stadiumin “Wembley”, çmimet e biletave ishin nga 98 funte (116 euro) deri në 130 funte (154 euro) për zonën në këmbë dhe 64 funte (75 euro) / 85 funte (100 euro) / 130 funte (154 euro) / 155 funte (183 euro) për zonat e afërta me skenën. Pritet që çmimet për koncertin në stadiumin “Anfield” të Liverpoolit të jenë të ngjashme.

Ndërkohë, çmimet e biletave për pjesën në Amerikën e Veriut ende nuk janë konfirmuar nga Live Nation. /Telegrafi/