Telegrafi

Nga 4,737 zyrtarë publikë, deklarimin e pasurisë e kanë bërë 1,581 ose 33.14 për qind

Në dhjetëditëshin e fundit të afatit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, nga gjithsej 4,737 zyrtarë të lartë publik, obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, deri sot i janë përgjigjur 1,581 (33.14%)  zyrtarë publikë, të numrit të përgjithshëm të zyrtarëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë publik që t’i përgjigjen obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë, në të kundërtën Agjencia kundër Korrupsionit, do të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal.

Në njoftim të AKK bëhet e ditur se deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka filluar më 01 mars dhe të përfundoj më 31 mars 2022, ndërsa, zyrtarët publik deklarimin e pasurisë mund ta bëjnë  nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës akk.deklarimi@rks-gov.net.

Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet emailit, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruese. /Telegrafi/