Site icon Telegrafi

Nga 36 pacientët me COVID-19 në Klinikën Infektive, pesë janë në hemodializë

Janë 36 pacientë të konfirmuar me Covid-19, të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Prej tyre pesë janë me oksigjeni-terapi, ndërsa dy nga këta janë në gjendje më të rëndë në kujdesin intensiv.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se nga këta 36 pacientë, pesë prej tyre janë në hemodializë.

“Aktualisht i kemi 36 pacientë me Covid-19 që janë të shtrirë në klinikë. I kemi edhe tre pacientë të tjerë për të cilët jemi në pritje të rezultateve gjatë ditës së sotme. Ndërkohë që gjendja e përgjithshme, 29 prej tyre janë në gjendje stabile, në gjendje të mirë. Pesë i kemi me oksigjeno-terapi, dhe dy të tjerë i kemi në kujdesin intensiv të klinikën tonë, që janë në gjendje më të rëndë dhe kritike. Nga këta 36, pesë prej tyre janë edhe në hemodializë të rregullt tash e disa vite”, thotë Krasniqi.

Dy pacientët të cilët aktualisht janë në gjendje të rëndë, Krasniqi thekson se janë mbi moshën 60-vjeç.

“Janë të moshave të ndryshme, ndërkaq këta të intensives janë një i moshës 63- vjeçare dhe një 74-vjeçar… Janë tre që janë pranuar sot në klinikë dhe gjatë orës se mbrëmjes i presim rezultatet”, tha Krasniqi.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Klinikën Infektive janë pranuar gjashtë të dyshuar me Covid-19, por që asnjëri nga këta nuk ka rezultuar pozitiv.

“Kemi 170 pacientë të shëruar, ndërkohë që kemi 60 raste të reja të konfirmuar. Ne po presim me arsyeje që ky trend të vazhdojë. Mund të ndodhë, ne jemi ende në kohë të pandemisë, mund të ndodhë që edhe ndonjë ditë të ketë numër më të madh të rasteve të reja. Megjithatë, presim me arsye që ky trend i numrit të vogël të rasteve të reja të shkojë duke u ulur”, shprehet ai.

Ndër të tjera, Krasniqi shprehet optimist se ka vend për të marrë frymë lirshëm, megjithatë edhe jo për relaksim të përgjithshëm.

“Kemi edhe 450 raste aktive me Covid pozitiv, pra ende që janë në shtëpitë e tyre. Kemi edhe një numër të madh të cilët janë nën monitorim, pra janë si persona të kontaktit, por besoj që jemi mirë… Sigurisht se ka vend për marrje frymë lehtë, nuk ka ende kohë për relaksim të përgjithshëm, ende duhet të jemi vigjilentë. Duhet të përcjellim me vëmendje të madhe ecurinë në radhë të parë epidemiologjike në Kosovë, por eventualisht edhe numrit të rasteve që do të paraqiten në forma të rënda të sëmundjes apo ata që kanë nevojë të shtrihen në spital”, tha ai.

Sipas Krasniqit, qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë maska, të kenë kujdes maksimal të higjienës personale, dhe po ashtu të mbajnë distancën fizike. Ndërkohë, janë 823 persona të konfirmuar me coronavirus, 366 janë shëruar dhe 22 prej tyre kanë vdekur.

Exit mobile version