Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka njoftuar se nga 22 shkurti i këtij viti, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sot kemi pranuar Notën Verbale nga Ministria e Jashtme e EBA-s, përmes së cilës jemi informuar se data e hyrjes në fuqi të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar me datën 11.01.2024, do të hyn në fuqi me datën 22.02.2024”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani, për përfundimin me sukses të këtij procesi dhe për kontributin e dhënë në arritjen e kësaj marrëveshjeje mes dy shteteve.
“Për përfundimin me sukses të këtij procesi falënderoj Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, për kontributin e dhënë në arritjen e kësaj marrëveshjeje mes dy shteteve, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan si dhe homologun tim Abdullah bin Zayid Al Nahyan”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja ka theksuar se kështu me hapa të sigurt po fuqizojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe po arrijmë të zgjerojmë jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.
“Vazhdojmë me lajme të mira”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/