Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Sipas shortit të hedhur në fletëvotimin për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë numrin 118, Partia Demokratike e Kosovës 131, Lidhja Demokratike e Kosovës 124, Koalicioni AAK-Nisma Socialdemokrate 137 dhe Lista Serbe 112.
Koalicioni për Familjen do ta ketë numrin 129 në fletëvotim, ndërsa partia Fjala do ta këtë numrin 138.
Duhet theksuar se përfaqësues të Listës Serbe nuk kanë marr pjesë në tërheqjen e shortit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën certifikoi listën e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Sipas kësaj liste numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924. /Telegrafi/