Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paralajmëruar rritjen e pagave nga viti i ardhshëm dhe skemës sociale, por jo dhe të pensioneve.
Ai në një konferencë për media tha se rritja e pagave do të bëhet nga 1 janari 2018 dhe ajo do të jetë sipas rritjes ekonomike.
“Përveç rritjes së pagave, i kemi trajtuar edhe kategoritë tjera sociale. Për vitin e ardhshëm e kemi planifikuar rritjen për 20 për qind për të gjitha familjet që janë në asistentë sociale. Ne jemi duke punuar shumë që të ketë sa më pak familje në këtë skemë, që të jenë të punësuar dhe të realizojnë paga, mirëpo ne kemi vlerësuar që kjo familje me vite të tëra nuk ka pas ngritje, dhe është një familje që kërkon kujdes, andaj 26 mijë familje në Kosovë nga një janari do të marrin përfitimet e tyre, me një rritje prej 20 për qind”, theksoi ministri Hamza.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se buxheti për vitin 2018 është buxhet i zhvillimit për rritje ekonomike dhe të pagave.
“Lajm i mirë për Kosovën është buxheti për vitin që vjen, që është një buxhet që e garanton stabilitetin financiar në vend. Është një buxhet që po ashtu siguron edhe rritjen ekonomike, edhe rritjen e pagave. Jemi të interesuar që në planet tona për vitin që vjen dhe në vitet në perspektivë, të thellojmë bashkëpunimin me institucione të ndryshme financiare, pra të marrim kredi të buta, hua, që janë të dobishme për projekte të ndryshme që janë me rëndësi për vendin, në mënyrë që klima investive në vend të jetë e mirë”, tha Haradinaj. /Telegrafi/