Site icon Telegrafi

Neymar shpëtimtari: Ylli brazilian po e blen ish-skuadrën e tij për ta shpëtuar nga falimentimi

Futbollisti i famshëm brazilian Neymar Jr po mendon të blejë ish-klubin e tij ku bëri emër, i cili aktualisht po përjeton ditët më të vështira në historinë e tij të pasur.

Bëhet fjalë për një nga klubet më të mëdha braziliane, Santos. Në fund të vitit të kaluar, për herë të parë në histori, gjiganti brazilian zbriti nga Superliga, gjë që ishte një goditje që askush nga tifozët e Santos nuk mund ta priste.

Teksa skuadra po përgatitet të luajë për herë të parë në kategorinë e dytë të futbollit brazilian, e ardhmja e klubit është në pikëpyetje për shkak të një borxhi prej 130 milionë eurosh. Po kërkohen shpëtimtarë dhe mund të jetë Neymar ai që do ta shpëtoj klubin e tij të zemrës.

Neymar e ka nisur karrierën në Santos dhe së fundmi është përmendur gjithnjë e më shpesh rikthimi i tij në klub.

Megjithatë, informacionet e sotme nga Brazili dhe Spanja thonë se Neymar është i interesuar për të blerë dhe shpëtuar këtë klub të famshëm dhe do t’i bashkohej sipërmarrjes së bashku me të atin.

Lexo po ashtu Neymar dëshiron rikthimin te Barcelona, tani zbulohet edhe qëndrimi i klubit katalunas

Sipas brazilianëve, Neymar synon të bëjë të njëjtën gjë siç bëri ish-sulmuesi legjendar Ronaldo Nazario me Cruzeiron në 2021. Ronaldo e bleu klubin pasi zbriti, për 80 milionë euro bleu 90 për qind të aksioneve dhe vetëm nëntë muaj më vonë e ktheu skuadrën në një rang më të lartë.

Neymar aktualisht ka një kontratë në Arabinë Saudite, e cila i fiton 100 milionë euro në sezon, ndaj me siguri ka disa kursime për të përballuar blerjen e klubit të tij të dashur. /Telegrafi/ 

Exit mobile version