Telegrafi

Neymar përballet me gjyq para Kupës së Botës: Autoritetet kërkojnë një dënim me dy vjet burg

Ardhja e Neymarit në Barcelonë nga klubi brazilian Santos vazhdon të zgjojë interesin e gjykatave spanjolle dhe tashmë është caktuar një gjyq i ri.

Lojtari i Paris Saint-Germain do të gjykohet një muaj para fillimit të Kupës së Botës në Katar me autoritetet tatimore që pretendojnë se Neymar i shmangu taksat pas lëvizjes së tij nga Brazili.

Autoritetet tatimore spanjolle po kërkojnë të dënojnë Neymarin me dy vjet burg dhe po ashtu kërkojnë 10 milionë euro dëmshpërblim nga lojtari.

Sipas gazetës së njohur El Pais, seanca do të zhvillohet më 17 tetor në Barcelonë.

Prokuroria beson se një shumë prej 8.4 milionë eurosh i është shmangur taksave gjatë transferimit të Neymar nga Santos te Barcelona.

Përveç kërkesës së Thesarit Spanjoll, kompania braziliane DIS, e cila pretendon se zotëron 40 për qind të të drejtave të lojtarit (të blera kur ishte 17 vjeç), po kërkon gjithashtu që lojtari të vuajë pesë vjet burg, si dhe kërkon rimbursim prej 150 milionë euro.

Rosell, Bartomeu dhe prindërit e brazilianit

Përveç Neymarit, akuzohen edhe prindërit e tij, dy ish-presidentët e Barcelonës – Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, ish-trajneri i Santos dhe Barcelona.

Sipas informacioneve të El Pais, autoritetet tatimore kërkojnë një dënim me dy vjet burg për babanë e Neymarit dhe një vit për nënën e tij. /Telegrafi/