Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar po i kërkon Paul Pogbas të lë Manchester Unitedin për tu bashkuar me të në Paris.
E ardhmja e mesfushorit francez vazhdon të mbetet në pikëpyetje dhe është përfolur shumë për një largim të tij nga Old Trafford.
Situata e tensionuar mes tij dhe trajnerit Jose Mourinho ka bërë që shumë skuadra të mëdha evropiane të vihen pas shërbimeve të tij.
Sipas mediumit Goal.com, Neymar e ka thirrur Pogban në shtator për ta pyetur nëse ai ishte i lumtur me jetën e tij në Mançester dhe nëse ai do të interesohej të kthehej në qytetin e tij të lindjes, Paris.
Neymar dhe Pogba kanë qenë shokë të ngushtë për disa vite dhe braziliani fillimisht u përpoq ta transferonte atë në Barcelonë para se ai të largohej nga Juventusi për t’u ribashkuar me Manchester Unitedin më 2016.
Tani, ai shpreson të veprojë si ‘mësit’ i marrëveshjes midis klubit të tij të ri, PSG-së dhe Pogbas.
Skuadra e madhe nga Ligue 1 është e etur për të fituar Ligën e Kampionëve me presidentin Nasser Al-Khelaifi që ka investuar mbi 350 milionë funte për të nënshkruar me Neymar dhe Kylian Mbappe sezonin e kaluar.
Tani politika e klubit ka ndryshuar dhe drejtuesit po kërkojnë lojtarë francez, ku përveç mesfushorit të Unitedit, pëlqehet edhe ai i Chelseat, N’Golo Kante. /Telegrafi/