Telegrafi

Neymar deri në vitin 2022 te Barcelona?

Rinovimi i kontratës i Neymar me Barcelonën ka hyrë në fazën e tij finale.

Duke përjashtuar ndonjë surprizë të mundshme, është thuajse e sigurt që 24-vjeçari brazilian do të hedhë firmën në marrëveshjen e re, që do ta lidhë me klubin blaugrana deri në vitin 2022.

Palët e kanë arritur tashmë akordin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i kontratës së re.

Fillimisht u fol për një rinovim të brazilianit deri në vitin 2021 por së fundmi gazeta katalanase El MundoDeportivo ka zbuluar se marrëveshja e re që Neymar do të firmosë më Barcën do të zgjasë, 12 muaj më shumë nga sa parashikohej.

Nëse sulmuesi nga vendi i sambas e respekton deri në fund kontratën e re, Neymar do ta mbajë veshur fanellën e Barcelonës deri në moshën 30-vjeçare.

Për të shmangur interesimin e klubeve të tjera, drejtuesit e skuadrës katalanase në marrëveshjen e rinovimit pritet ta ngrenë nga 190 në 220 milionë euro klauzolën e largimit të brazilianit, nga Camp Nou.

Në këtë mënyrë pakësohen shanset e Manchester United dhe Paris Saint Germain që ëndërronin të bënin të tyrin, Neymarin.