Newcastle United ka ndërruar pronar dhe tani është skuadra më e pasur në botë.
Duke parë se gjenden në një pozitë të vështirë në tabelë, bardhezinjtë janë duke bërë transferime, ku kanë marrë Kieran Trippier dhe Chris Wood.
Por transferimi i tretë pritet të jetë shumë i madh për ‘Laraskat’, pasi kanë bërë gati 80 milionë euro për të.
Fjala është për mesfushorin e talentuar Amadou Haidara që ka shkëlqyer me fanellën e RB Leipzig.
23-vjeçari nga Mali është objektivi kryesor i Manchester United për repartin e mesfushës, por duket se Newcastle ka kaluar në ‘pole position’ për transferimin e tij.
The Sun ka raportuar se ‘Laraskat’ kanë gati ofertën prej 80 milionë euro në drejtim të Leipzigut për transferimin e mesfushorit defensivë.
Haidara shihet si mesfushor me të ardhme të madhe dhe Newcastle është gati të investojë shumën e madhe në të në mënyrë që ta ketë një futbollist për shumë vite në radhët e veta.
Gjithnjë sipas mediumit anglez, transferimi i Haidaras në St James Park mund të kompletohet javën e ardhshme, pasi shuma prej 80 milionë eurove duket e parefuzueshme nga Leipzig. /Telegrafi/