Telegrafi

New Yorku paguan 17.5 milionë dollarë për të zgjidhur paditë – policia i detyroi gratë të hiqnin mbulesën para fotografimit

Qyteti i New Yorkut ka rënë dakord të paguajë 17.5 milionë dollarë për të zgjidhur një padi të ngritur nga dy gra myslimane, të cilat thanë se policia shkeli të drejtat e tyre pasi i arrestoi, i ka detyruar të hiqnin mbulesën (hixhab) para se të bënin fotografi.

Zgjidhja paraprake e padisë në grup do të thotë se burrat dhe gratë nuk duhet të heqin veshjet fetare përpara se të fotografohen në polici. Ajo u depozitua të premten në gjykatën federale në Manhattan dhe kërkon miratimin e gjykatëses së qarkut të SHBA-së, Analise Torres.

Pagesat do të arrijnë rreth 13.1 milionë dollarë pasi të zbriten tarifat dhe shpenzimet ligjore dhe mund të rriten nëse pranohen 3600 ankesat e tjera. Çdo njeri do të dëmshpërblehet midis 7,824 dhe 13,125 dollarëve, raporton reuters.

Marrëveshja zgjidhi një padi të ngritur në vitin 2018 nga Jamilla Clark dhe Arwa Aziz, të cilët thanë se ndjenin turp dhe traumë kur policia i detyroi të hiqnin hixhabet për fotot e tyre vitin e kaluar, respektivisht në Manhattan dhe Brooklyn të New Yorkut.

Të dy u arrestuan për shkelje të atyre që ata i quajtën urdhra të rremë mbrojtëse. Avokatët e tyre e krahasuan heqjen e hixhabit me zhveshjen apo lakuriqësi.

“Kur më bënë të heq hixhabin, u ndjeva sikur isha lakuriq. Nuk jam e sigurt që fjalët mund të përshkruajnë se sa e ekspozuar dhe e keqtrajtuar jam ndjerë”, tha Clark.

Në përgjigje të padisë, Departamenti i Policisë së New Yorkut ra dakord në vitin 2020 që të lejonte burrat dhe gratë të mbanin mbulesa të kokës gjatë sesioneve fotografike, për aq kohë sa mund të shihen fytyrat e tyre. Politika e re u shtri në mbulesa të tjera fetare.

Ndryshe, policia mund të heqë përkohësisht mbulesat e kokës kur kërkon armë ose kontrabandë, por në ambiente private, nga oficerë të të njëjtit gjini. /Telegrafi/