Telegrafi

New York Times korrigjon vetën: Nuk ka takim ndërmjet Trumpit dhe Vuçiqit

Një ditë më parë gazeta New York Times kishte njoftuar se ditën e shtunë në Washington do të takohet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me atë amerikan Donald Trump.

Por, sot prestigjiozja amerikane e ka bërë një sqarim se ky takim nuk do të ndodh.

“Në një shkrim të ditës së hënë lidhur me presidentin Aleksandar Vuçiq, është bërë një deklaratë e gabuar se ai do të ketë takim në Shtëpinë e Bardh këtë javë. Ai kishte planifikuar që të takohet me Richard Grenell, të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, por jo me Presidentin Trump”, shkruan New York Times në sqarimin e saj, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu NYT: Vuçiq takon Putinin, pastaj Trumpin

Lidhur me këtë, Grenell përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se mediumi në fjalë është detyruar të përmirësojë informacionet e tyre për këtë çështje.

Madje ai ka shtuar se, gazeta nuk ka kërkuar as përgjigje nga ai.

“NYT është e detyruar të përmirësojë informacionet e tyre bazike për lajmin Kosovës dhe Serbisë – dhe më pas e shkruajnë gabim pozitën time në këtë përmirësim. Nuk jam i befasuar, sepse ata nuk kanë folur asnjëherë me mua – me negociatorin aktual”, ka shkruar Grenell.

Kujtojmë se më 27 qershor delegacionet nga Kosova dhe Serbia do të takohen në Washington për rifillimin e dialogut. /Telegrafi/