Site icon Telegrafi

Neurokirurgjia, reparti ku kryhen mbi 600 intervenime në vit, mjekët kërkojnë pasqyrim pozitiv të rezultateve

Në kuadër të intervenime kirurgjike që kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), neurokirurgjia hyn te repartet me peshën dhe përgjegjësinë më të madhe në këtë institucion.

Neurokirurgu Nehat Haliti, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se brenda një viti në këtë repart kryhen mbi 600 intervenime kirurgjike, e të cilat sipas tij, kanë një sukses shumë të mirë.

Ai ka thënë se në kushtet që punojnë ata, duke ia shtuar edhe mungesën e teknologjisë në raport me spitalet e rajonit dhe të shteteve të zhvilluara, kanë suksese të jashtëzakonshme gjatë punës së tyre.

“Ne e kemi vetëm një sallë operatore, e që kur e llogaritë për një popullsi 2 milionëshe, kjo i bie  shumë pak, duke e bërë të vështirë që të përmbushen të gjitha kërkesat për patologjitë që trajtohen te ne. Kërkesa jonë e kahmotshme është që t’ kemi dy ose tri salla operatore”, ka thënë Haliti.

Më tutje ai ka theksuar se pavarësisht mungesës së sallave dhe teknologjive që po i përdor sot mjekësia moderne, sipas tij, teknikat operatore janë të nivelit të vendeve të rajonit dhe atyre evropiane.

“Ne, fatmirësisht të pjesa kadrovike, respektivisht pjesa intelektuale kemi doktor mjaft të përgatitur, por të cilët me kushtet aktuale, pagat, trajtimin që e kanë, e kanë shumë të vështirë punën. Por, vullneti i madh po i mban ata këtu për të kontribuuar”, ka shtuar Haliti.

Sipas tij, brengë serioze është synimi i shumë prej specializantëve të rinj, të cilat synojnë të largohen nga Kosova në drejtim të vendeve të Evropës për ta ushtruar profesionin e tyre.

“Mendimi i këtyre profesionistëve për t’u larguar nga vendi po vjen si pasojë se në shëndetësi është investuar shumë pak. Shëndetësia kërkon investime kapitale, sepse është në pyetje jeta e njeriut e që mund të pësojë me fatalitet”, ka thënë Haliti.

Ai në fund ka thënë se përveç lajmeve negative, duhet të pasqyrohen edhe punët e suksesshme të doktorëve, duke shtuar se propaganda e vazhdueshme negative do t’i dekurajojë atë dhe kolegët e tij.

“Nëse vazhdohet me këtë trend, pjesa dërmuese e mjekësve kanë me lëviz nga vendi. Mos të harrojmë se duhet së paku 20 vite për me kriju një neurokirurg, e nuk krijohet brenda vitit. Ata që mendojnë se një neurokirurg mund të krijohet brenda e kanë shumë gabim”, ka shtuar Haliti. /Telegrafi/

Exit mobile version