Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti synimin e tij për të urdhëruar ushtrinë izraelite që të shkojë në Rafah pasi popullsia civile të evakuohet, sipas një deklarate të re të postuar të mërkurën X.
“Ne do të luftojmë deri në fitoren absolute dhe kjo përfshin një aksion të fuqishëm edhe në Rafah pasi të lejojmë popullsinë civile të largohet nga zonat e betejës”, ka thënë Netanyahu, përcjell Telegrafi.
Deklarata e tij vjen edhe pse presidenti i SHBA-së, Joe Biden i tha Netanyahut më parë se një operacion në Rafah “nuk duhet të vazhdojë” pa garantuar sigurinë e njerëzve që strehohen atje, tha Shtëpia e Bardhë.
Disa liderë të tjerë botërorë dhe OJQ, përfshirë Kombet e Bashkuara, i kanë bërë thirrje Izraelit të shmangë një operacion tokësor në atë që tani është qyteti më i populluar i Gazës.
Presidenti francez Emmanel Macron dhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus të mërkurën i bënë thirrje Izraelit që të mos ecë përpara me një operacion tokësor në Rafah.
Netanyahu tha të dielën se Rafah është “bastioni i fundit i Hamasit” dhe se Izraeli do të godasë “batalionet e mbetura terroriste të Hamasit” atje, në një intervistë për ABC News. /Telegrafi/