Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur se ushtria izraelite së shpejti do të nisë një operacion në Rafah, por u zotua të sigurojë zhvendosje të sigurt për civilët.
“Fitorja është e arritshme. Ne do ta bëjmë atë. Ne do të eleminojmë batalionet e mbetura terroriste të Hamasit në Rafah, që është bastioni i fundit, por ne do ta bëjmë atë”, tha Netanyahu në një intervistë për ABC News.
“Ne do ta bëjmë këtë duke siguruar një zhvendosje të sigurt për popullatën civile në mënyrë që ata të mund të largohen”, tha kryeministri izraelit.
Kur u pyet se ku pritet të shkojnë palestinezët, Netanyahu tha se “jemi duke punuar për një plan të detajuar”, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Ata që thonë se në asnjë rrethanë nuk duhet të hyjmë në Rafah, në thelb thonë humbni luftën, mbajeni Hamasin atje”, shtoi Netanyahu.
Bëhet e ditur se, pas urdhrit të kryeministrit izraelit për evakuimin e qytetit Rafah, shumica e popullatës është zhvendosur, ndërsa të tjerë thonë se nuk kanë ku të shkojnë.
Të shqetësuara për gjendjen e civilëve janë shprehur Kombet e Bashkuara dhe SHBA-ja.
Madje shteti amerikan ka paralajmëruar se kryerja e një operacioni të tillë në qytetin jugor të Gazës “do të ishte një katastrofë”. /Telegrafi/