Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar të jap një përgjigje rreth asaj nëse do të merrte përgjegjësinë për dështimin për të parandaluar sulmin e 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit, duke thënë se do të kishte kohë për pyetje të tilla “të vështira” pasi të përfundojë lufta.
Në një intervistë me CNN, Netanyahu pranoi se kjo është “një pyetje që duhet bërë”, përcjell Telegrafi.
“Dhe ne do t’u përgjigjemi të gjitha këtyre pyetjeve”, këmbënguli ai, duke shtuar: “Për momentin, unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të bashkojmë vendin për një qëllim; për të arritur fitoren”.
“Le të fokusohemi te fitorja – kjo është përgjegjësia ime tani”.
Ndryshe, Netanyahu ka qenë nën presion për dështimin për të parashikuar sulmin më vdekjeprurës që nga themelimi i Izraelit, i cili pa persona të armatosur të Hamasit duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.
Dhe në një protestë të shtunën, familjet e pengjeve i bënë thirrje Netanyahut dhe qeverisë që të bëjnë më shumë për të siguruar lirimin e tyre.
Ndërsa kur u pyet për planet e Izraelit të pasluftës për Gazën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dukej se përjashtoi mundësinë e dorëzimit të kontrollit tek Autoriteti Palestinez (PA), duke thënë se organizata kishte dështuar në “çmilitarizimin” dhe “de-radikalizimin” e Gazës në të kaluarën. /Telegrafi/