Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti politikat e tij në Rripin e Gazës pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se lideri izraelit “po e dëmton Izraelin më shumë sesa po ndihmon”.
“Nuk e di saktësisht se çfarë donte të thoshte presidenti, por nëse ai donte të thoshte me këtë, që unë po ndjek politika private kundër dëshirës së shumicës së izraelitëve dhe se kjo po dëmton interesat e Izraelit, atëherë ai e ka gabim në të dyja aspektet”, tha Netanyahu në një intervistë për Politico dhe median gjermane Bild, përcjell Telegrafi.
Biden i bëri komentet e tij gjatë një interviste me MSNBC që u transmetua të shtunën, kur tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje jetëve të pafajshme që humbasin si pasojë e veprimeve të ndërmarra” në Gaza.
Netanyahu tha se ai synon të ecë përpara me një pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht se Biden paralajmëroi se kjo do të ishte një “vijë e kuqe”.
“Ne do të shkojmë atje. Ne nuk do të largohemi. E dini, unë kam një vijë të kuqe. E dini cila është vija e kuqe? Se 7 tetori nuk ndodh më. Nuk ndodh më kurrë. Dhe për ta bërë këtë, ne duhet të përfundojmë shkatërrimin e ushtrisë terroriste të Hamasit”, tha ai.
Netanyahu tha se operacioni nuk do të zgjasë më shumë se dy muaj, por nuk dha detaje mbi afatin kohor.
Afrimi i Ramazanit ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme, duke pasur parasysh paralajmërimet e përsëritura të Izraelit se po përgatiste një ofensivë ushtarake në këtë zonë, ku aktualisht janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë. /Telegrafi/