“E vërteta është viktima e parë e luftës”, thotë një klishe e vjetër, por, si çdo thënie tjetër, ajo përmban një grimcë të së vërtetës. Raportimi nga fushëbeteja është gjithmonë sfidues: pengohesh nga qasja e kufizuar, rreziku i përhershëm për jetën, mjegulla e qëllimshme e luftës dhe zyrtarët që shpesh ia dalin mbanë duke mos e treguar të gjithë të vërtetën. Situata bëhet edhe më komplekse kur gazetarët janë pjesë e një shoqërie ndërluftuese, veçanërisht nëse konflikti gëzon mbështetje të gjerë popullore si një luftë e drejtë.
Më 7 tetor 2023, Izraeli u sulmua nga Hamasi, i cili hyri nga Gazë për të vrarë, plaçkitur, përdhunuar dhe rrëmbyer civilë dhe ushtarë. Të nesërmen, Hezbollahu iu bashkua konfliktit nga Libani. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke shpopulluar dhe shkatërruar qytetet dhe fshatrat e Rripit të Gazës, duke vrarë shumë civilë së bashku me militantët dhe operativët e Hamasit. Në shtator 2024, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nisën një kundërofensivë në frontin verior, duke i shkaktuar një goditje shkatërruese rivalit të saj kryesor, Hezbollahut, dhe duke rrafshuar fshatrat shiite që shërbenin si baza të vijës së parë.
Të tronditur nga sulmi befasues i armikut dhe mizoritë e Hamasit, publiku hebraik izraelit u bashkua në mbështetje të jashtëzakonshme për atë që dukej si një luftë ekzistenciale kundër armiqve të pamëshirshëm dhe të pandalshëm. Ky qëndrim vazhdon edhe në muajin e katërmbëdhjetë të luftës, pavarësisht rritjes së numrit të viktimave të IDF-së dhe dështimit të vazhdueshëm për të arritur “fitoren totale” të premtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Qëndrimi i publikut ka diktuar kufijtë e raportimit të lajmeve në mediat kryesore izraelite: mos tregoni mëshirë për palën tjetër. Shumica e mediave nuk transmetojnë vrasjet, shkatërrimet dhe vuajtjet njerëzore në Gazë dhe Liban. Në rastin më të mirë, ato citojnë kritikat ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit, duke i cilësuar si antisemitike dhe hipokrite. Gaza dhe Libani shihen vetëm përmes lenteve të gazetarëve që u bashkohen njësive pushtuese të IDF-së.
Simbol i raportimit të lajmeve gjatë kohës së luftës është Danny Kushmaro, një prezantues lajmesh në Channel 12 – rrjeti më i madh televiziv në Izrael. Duke iu bashkuar një force këmbësorie në Liban, në muajin e kaluar, Kushmaro me helmetë në kokë hodhi në erë një shtëpi në një fshat shiit të pushtuar, duke thënë me krenari: “Mos luani me hebrenjtë”. Kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi fletarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, Kushmaro reagoi emocionalisht në televizion, në kohën me shikueshmërinë më të lartë, i rrethuar nga fotografitë e fëmijëve të vrarë dhe të rrëmbyer më 7 tetor, duke thënë se fletarrestet janë “kundër të gjithëve neve, ushtarëve tanë, këtij populli, këtij vendi”. Kushmaro dhe kolegët e tij në transmetim nuk u përpoqën të shpjegonin bazën faktike prapa akuzave të ICC-së – për urinë e qëllimshme si metodë lufte dhe krimet e tjera kundër njerëzimit që mëtohet të jenë urdhëruar nga udhëheqësit izraelitë.
Izraeli ka një censor ushtarak dhe çdo lajm për sigurinë kombëtare ose inteligjencën duhet të marrë miratimin e tij. Censura është pengesë, por gjatë luftës ky kufizim ligjor dhe filtrimi zbehen krahasuar me autocensurën e publikut. Izraelitët thjesht nuk duan të informohen.
Pothuajse gjithmonë i vetëm, Haaretz-i ka raportuar për dekada mbi vuajtjet e palestinezëve nën okupimin izraelit dhe mbi atë që IDF-ja e konsideron si “dëm kolateral” të luftës kundër terrorizmit. Herë pas here, gazeta është dënuar për kritikat ndaj moralit të veprimeve të IDF-së. Lexuesit kanë anuluar abonimet e tyre dhe politikanët janë mobilizuar kundër saj. Por, ne kurrë nuk jemi zmbrapsur. Kur sheh krime lufte, duhet të flasësh ndërsa lufta po vazhdon dhe jo të presësh derisa të jetë tepër vonë për të bërë ndryshimin. Lufta e 7 tetorit nuk është ndryshe: përsëri, të vetëm, ne raportojmë mbi anën tjetër të konfliktit, pavarësisht vështirësive për të pasur qasje në burimet në Gazë apo Liban, ndërsa njëkohësisht përfshijmë gazetarët tanë me IDF-në, siç bëjnë mediat e tjera.
Netanyahu nuk e ka pëlqyer kurrë qëndrimin tonë kritik ndaj tij dhe politikës së tij të okupimit dhe aneksimit, duke i quajtur – në vitin 2012 – Haaretz-in dhe New York Times-in si “armiqtë më të mëdhenj të Izraelit” (edhe pse më vonë e mohoi këtë). Duke ndërtuar karrierën e tij mbi manipulimin e medias, Netanyahu nuk i duron dot zërat e pavarur dhe kritikë. Në dekadën e kaluar, abuzimi i tij me pushtetin shtetëror për të shtrembëruar mbulimin mediatik, i ekspozuar nga Haaretz-i në vitin 2015, e çoi Netanyahun në gjyq në një proces ende të hapur për korrupsion kriminal. Por, edhe pas aktakuzës së tij, ai ndryshoi vetëm taktikat, jo strategjinë, duke marrë mësime nga manuali i suksesshëm i mikut dhe mentorit të tij hungarez, Viktor Orbán: sulmo median kryesore si armiqësore, bëj që mbështetësit tuaj miliarderë të hapin kanale mbështetëse, ndërto një “makineri helmuese” për të bashkuar bazën tënde përmes rrjeteve sociale. Me kalimin e kohës, nga frika e humbjes së shikuesve ndaj Channel 14-shit të shfrenuar – Fox-i i Izraelit në versionin e tij më ekstrem – mediat kryesore ndryshuan qëndrimin duke shtuar zëdhënësit e liderit në panele debatesh në kohën me shikueshmërinë më të madhe.
Netanyahu është një figurë përçarëse, dhe publiku hebraik izraelit, ndonëse i bashkuar pas luftës, është thellësisht i ndarë mes pro dhe anti-Bibistëve. Por, Netanyahu po përdor luftimet e jashtme për të justifikuar heshtjen e kritikëve të tij të brendshëm. Menjëherë pas 7 tetorit, ministri i Komunikimeve, Shlomo Karhi, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, paraqiti një projekt-rezolutë kabineti për të bojkotuar çdo reklamë apo abonim qeveritar për Haaretz-in, duke e cilësuar gazetën si “propagandë anti-izraelite.” Fillimisht e bllokuar nga Ministria e Drejtësisë, Karhi ka rinisur planin e tij për të minuar Haaretz-in, duke përdorur si justifikim deklaratat kontroverse të botuesit tonë Amos Schocken.
Të dielën e kaluar, rezoluta për bojkotimin e Haaretz-it, tashmë e sponsorizuar nga Netanyahu, u miratua njëzëri në kabinet. Për ta përforcuar këtë, Karhi gjithashtu paraqiti një projektligj për privatizimin e transmetuesit publik të Izraelit, i cili ka vepruar si një pengesë për qeverinë – në kontrast me rrjetin e saj të mediave mbështetëse. “Ne jemi të zgjedhur nga publiku dhe mund të realizojmë ndryshim regjimi nëse duam”, tha ai, duke zbuluar motivin më të thellë të shefit të tij. Bojkoti i Haaretz-it nuk ka bazë ligjore, por Netanyahut nuk i bëhet vonë: nëse bie poshtë, ai do të lëshojë një tiradë kundër “shtetit të kontrolluar juridik” dhe gjoja minimit të sundimit të tij. Dhe, ai kishte të drejtë për liderët e opozitës, të cilët, duke iu përmbajtur entuziazmit nacionalist-ushtarak, nuk qëndruan përkrah gazetës.
Por, ne do të triumfojmë mbi sulmin e fundit të Netanyahut, ashtu siç kemi triumfuar mbi zemërimin dhe izolimin nga paraardhësit e tij. Haaretz-i do të qëndrojë e palëkundur në misionin e saj për të raportuar në mënyrë kritike mbi luftën dhe pasojat e saj të rënda për të gjitha palët. E vërteta ndonjëherë është e vështirë për t’u mbrojtur, por ajo nuk duhet kurrë të bëhet viktimë e luftës. /Telegrafi/