Site icon Telegrafi

Netanyahu uron Kurtin, flet për inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar letrat e urimit që i ka marrë dhe po vazhdon t’i marrë kreu i kësaj partie, Albin Kurti nga udhëheqës shtetëror pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mes tyre është edhe letra që Kurti ka marrë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në letrën e dërguar, tri ditë pas 14 shkurtit, përkatësisht më datën 17 shkurt, Netanyahu uron Kurtin për fitoren e shënuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ai flet edhe për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dyja vendeve, duke thënë se e ka mirëpritur këtë marrëveshje dhe se shpreson për një etapë të re të zhvillimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Izraelit.

Netanyahu ndër të tjera përmend edhe vendimin e Kosovës që Ambasadën e saj ta vendosë në Jerusalem, derisa shton se pret që ta ftojë Kurtin në inaugurimin e Ambasadës, përkundër që zyrtarë të VV-së kishin thënë se do ta shqyrtojnë vendimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu,

Anëtari i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, javë më parë ka thënë se nëse Kosova kushtëzohet për hyrjen në BE me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet.

“Ajo do të mbetet aty ku është, deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtarë që të mos jetë aty. Psh nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian gjatë procesit integrimeve evropiane që hyrja jonë në BE të kushtëzohet përmes ndryshimit të lokacioneve të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhet të rishqyrtohej. Meqenëse është vitale për Kosovën dhe jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, kishte thënë Konjufca në një debat televiziv.

Exit mobile version