Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se Izraeli e ka bërë kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit me një qëllim zyrtar lufte.
Vendimi është marrë nga kabineti i sigurisë i kryeministrit gjatë të hënës në mbrëmje, transmeton Telegrafi.
Rreth 60 mijë njerëz janë evakuuar nga Izraeli verior, për shkak të sulmeve pothuajse ditore të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Libanin fqinj.
Luftimet ndërkufitare u përshkallëzuan më 8 tetor 2023 – një ditë pas sulmit vdekjeprurës ndaj Izraelit nga persona të armatosur të Hamasit nga Rripi i Gazës – kur Hezbollahu qëlloi në pozicionet izraelite, në solidaritet me palestinezët.
“Kabineti i Sigurisë ka përditësuar objektivat e luftës për të përfshirë sa vijon: Kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit.
“Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të zbatuar këtë objektiv”, u tha ndër tjera.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se e vetmja mënyrë për t’i kthyer banorët veriorë të Izraelit në shtëpitë e tyre ishte përmes “aksionit ushtarak”, gjatë një takimi me të dërguarin e SHBA-së, Amos Hochstein. /Telegrafi/