Izraeli do të kryejë një operacion kundër Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pavarësisht nëse arrihet apo jo një armëpushim – dhe lirim i pengjeve, ka thënë kryeministri Benjamin Netanyahu.
“Ideja se ne do ta ndalojmë luftën përpara se të arrijmë të gjitha objektivat e saj është jashtë diskutimit”, citohet të ketë thënë Netanyahu, sipas një deklarate nga zyra e tij, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se Izraeli dhe Hamasi po negociojnë një marrëveshje armëpushimi që synon të lirojë pengjet dhe të sjellë “pak lehtësi” për palestinezët në enklavën e rrethuar.
Por Netanyahu është zotuar të arrijë “fitoren totale” në luftë dhe qeveria e tij ka thënë se do të nisë një ofensivë në Rafah, për të cilën Izraeli thotë se është bastioni i fundit i madh i Hamasit.
Ditët e fundit ishin rritur shpresat se palët mund të lëviznin drejt një marrëveshjeje që do të shmangte një inkursion izraelit në Rafah, ku janë strehuar më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës. /Telegrafi/