Kryeministri izraelit u takua me të dërguarin special të SHBA-së, Amos Hochstein në Tel Aviv, ku raportohet t’i ketë thënë se “Izraeli është i përkushtuar për të sjellë një ndryshim thelbësor në kufirin me Libanin”, tha zyra e Benjamin Netanyahut.
Uashingtoni ka theksuar nevojën për të parandaluar zgjerimin e konfliktit përtej Rripit të Gazës, raporton aljazeera.
Izraeli dhe Hezbollahu janë përfshirë në shkëmbime të përditshme të zjarrit që nga shpërthimi i luftës në Gaza, duke shkaktuar evakuimin e komuniteteve në të dy anët e kufirit.
“Kryeministri Netanyahu i tha të dërguarit amerikan Hochstein se pas sulmit vrastar të 7 tetorit, Izraeli është më i vendosur, më i guximshëm dhe më i bashkuar se kurrë”, tha zyra e kreut të qeverisë izraelite.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se grupi “nuk ka frikë” nga përballja me Izraelin, duke u zotuar se do të luftojë “pa kufij” dhe “pa rregulla” nëse Izraeli sulmon Libanin.
Ndryshe, autoritetet libaneze u kanë kërkuar Hazbollhaut që mos të përfshihen në luftë me Izraelin. /Telegrafi/