Telegrafi

Netanyahu informoi amerikanët: Izraeli është kundër krijimit të shtetit të Palestinës

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka zbuluar se ka informuar SHBA-në se kundërshton krijimin e një shteti palestinez si pjesë e çdo skenari të pasluftës me Hamasin.

“Izraeli do të pajtohet vetëm me një marrëveshje në të cilën vendi do të fitonte kontrollin e sigurisë mbi të gjithë Rripin e Gazës”, tha kryeministri izraelit.

“Në çdo marrëveshje të ardhshme… Izraelit i duhet kontrolli i sigurisë në të gjithë territorin perëndimor të Jordanisë. Kjo është në kundërshtim me idenë e sovranitetit”, tha ai, duke shtuar se këtë ua tha edhe amerikanëve.

Netanyahu premtoi të vazhdojë ofensivën izraelite derisa të arrijë një fitore vendimtare ndaj Hamasit.

“Izraeli ka shkatërruar rreth dy të tretat e batalioneve luftarake të Hamasit në Gaza. Ka dy faza të luftës: E para është shkatërrimi i regjimenteve të Hamasit, që janë kornizat e tyre të organizuara luftarake. Deri më tani, 16 ose 17 nga 24 janë shkatërruar. Pas kësaj vjen faza e pastrimit të territoreve nga militantët. Akti i parë zakonisht është më i shkurtër, i dyti zakonisht zgjat më shumë”, tha Netanyahu.

Unë deklarova se do të duhen disa muaj të gjatë për të fituar, por se ata janë të vendosur për të fituar.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se SHBA-ja nuk do të ndalojë së punuari për një zgjidhje me dy shtete, pasi Izraeli vazhdon të nisë sulmet ajrore në Palestinë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete. /Telegrafi/