Site icon Telegrafi

Netanyahu hodhi poshtë kërkesën e amerikanëve për armëpushim të përkohshëm në Gaza

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar sot se është kundër çdo lloj armëpushimi të përkohshëm në luftën kundër Hamasit që nuk përfshin lirimin e të gjithë pengjeve.

“Izraeli refuzon një armëpushim të përkohshëm që nuk përfshin lirimin e pengjeve tona. Izraeli nuk do të lejojë që karburantet të hyjnë në Gaza dhe kundërshton dërgimin e parave në Rripin e Gazës”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv.

Me këtë, ai hodhi poshtë kërkesën e SHBA-së, të cilën ia kërkoi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me të arritur në Izrael – “një ndërprerje e përkohshme e armiqësive”.

Lexo po ashtu Blinken: Duhet të ndalet dhuna ekstremiste kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor

Netanyahu shtoi se Izraeli nuk do të ndalet derisa të fitojë, raporton Times of Israel.

“Ne do të shkatërrojmë Hamasin, do të kthejmë pengjet dhe do të sigurojmë sigurinë e qytetarëve dhe fëmijëve tanë”, tha lideri izraelit.

Ai vlerësoi ushtarët izraelitë, duke thënë se ata “po vrisnin terroristët në Gaza ditë e natë”, me bashkëpunimin e ngushtë të forcave tokësore dhe ajrore të ushtrisë izraelite (IDF).

Netanyahu paralajmëroi armiqtë e Izraelit në veri (Hezbollahun) që të mos e përshkallëzojnë konfliktin sepse do të ishte një “gabim i kushtueshëm”. /Telegrafi/

Exit mobile version