Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka dhënë një intervistë tjetër për median amerikane, në të cilën ka hedhur poshtë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë se Izraeli do të pauzonte katër orë në ditë luftën.
Ka pasuar shumë konfuzion natën e kaluar pas raportimeve të ndryshme të zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë rreth asaj se a do të ketë pauza disa orëshe të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza.
Kur u pyet nga Fox News në lidhje me këtë çështje, lideri izraelit ka sqaruar se “jo, lufta vazhdon kundër armikut Hamas… por në vende të caktuara për një periudhë të caktuar – disa orë këtu, disa orë atje – ne dëshirojmë të lehtësojmë një kalim të sigurt të qytetarëve larg zonës së luftës”.
Ai nuk e tha në mënyrë eksplicite, por ka të ngjarë t’i referohej rrugës Salah al Din, të cilën Izraeli e ka hapur si një “korridor humanitar” disa herë gjatë kësaj jave, për të lejuar qytetarët e Gazës të largohen nga jugu.
Netanyahu tha gjithashtu se nuk kishte një plan kohor për luftën, por se ajo do të përfundonte pasi të mposhtet Hamasi.
Kryeministri e bëri të qartë se megjithëse Izraeli nuk kishte ndërmend të pushtonte apo qeveriste Gazën, ai parashikonte një territor të riformuar rrënjësisht dhe një rajon më të gjerë.
“Ne nuk duam të kërkojmë të qeverisim Gazën, nuk kërkojmë të pushtojmë, por kërkojmë t’i japim asaj dhe neve një të ardhme më të mirë në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha ai.
Ndryshe, Izraeli ka nisur një ofensivë në Rripin e Gazës pas sulmit të papritur të militantëve të Hamasit në territorin izraelit. /Telegrafi/