Negociatorët izraelitë që marrin pjesë në bisedimet e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve në Doha kanë shprehur “optimizëm”, edhe pse vazhdon të ketë boshllëqe midis të dyja palëve.
Një delegacion i nivelit të lartë izraelit, i cili përfshin drejtorin e Mossad, David Barnea, mbërriti në Doha, pas shenjave të qarta të përparimit në negociatat e pengjeve dhe armëpushimit.
Bëhet e ditur se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili u takua të shtunën me të dërguarin e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, po përballet me presion nga administrata aktuale dhe ajo e ardhshme amerikane për të arritur një marrëveshje deri më 20 janar, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Pavarësisht këtij presioni, vendimi për të dërguar delegacionin e nivelit të lartë në bisedime në Doha u mor sepse shumica e palëve të përfshira në negociata duan vërtet një marrëveshje.
“Presioni amerikan kishte pak të bënte me të”, pohoi një burim i lidhur me çështjen.
Por raportohet se presioni nga Shtetet e Bashkuara po ndihet qartë brenda qeverisë izraelite.
Delegacioni izraelit përfshin gjithashtu Nitzan Alon, kreun e njësisë së pengjeve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe Ronen Bar, kreun e agjencisë izraelite të sigurisë Shin Bet.
Negociatat kanë mbetur të bllokuara prej muajsh, pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan në largim, Joe Biden.
Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar për pasoja nëse pengjet nuk lirohen deri në inaugurimin e tij më 20 janar.
Ndryshe, Forumi i Familjeve të Pengjeve përshëndeti vendimin për të dërguar delegacionin izraelit, duke e përshkruar masën si “një mundësi historike për të siguruar lirimin e të gjithë të dashurve”.
“Mos lini gurë pa lëvizur dhe kthehuni me një marrëveshje që siguron kthimin e të gjithë pengjeve, deri në të fundit”, tha forumi në një deklaratë. /Telegrafi/