Site icon Telegrafi

Netanyahu bëhet kryeministri me mandatin më të gjatë në histori të Izraelit

Benjamin Netanyahu është bërë kryeministri me mandatin më të gjatë në histori të shtetit të Izraelit, duke e lënë prapa edhe themeluesin e këtij vendi dhe kryeministrin e parë, David Ben-Gurion.

Njeriu i njohur ndryshe edhe si “King Bibi” nga përkrahësit dhe kundërshtarët e tij, tashmë i ka bërë 4867 ditë ose më shumë se 13 vjet si kryeministër i Izraelit.

Gjatë dy dekadave të kaluar, politikani 69-vjeçar, i cili më parë ka shërbyer në ushtri, i ka fituar disa palë zgjedhje me premtimet se do ta bëjë Izraelin vend të sigurt dhe me mirëqenie, duke i lënë anash palestinezët.

“Ai i ka bindur shumë votues se është i pazëvendësueshëm”, thotë Gideon Rahat, profesor i shkencave politike në Universitetin e Jerusalemit dhe pjesëtar i Institutit Izraelit për Demokraci.

Pavarësisht thyerjes së rekordit historik, Netanyahut i duhet t’i fitojë zgjedhjet e shtatorit dhe të lirohet nga tri akuza për korrupsion për ta vazhduar rrugën e tij të gjatë në krye të qeverisë izraelite.

Përkrahësit e tij thonë se Izraeli nuk ka qenë asnjëherë më i pasur, më i sigurt dhe më i pranuar në botë, përfshirë shtetet arabe.

Në anën tjetër, kundërshtarët e Netanyahut thonë se ai shpesh ka nxitur përçarje në shoqërinë izraelite, i ka stigmazituar mitoritetet për t’i fituar zgjedhjet dhe i ka shtypur aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shkruan “The Guardian”.

Exit mobile version