Telegrafi

Nesho: Ky është sekreti pse Rama po i jep dhëndrit të Trumpit ishullin e Sazanit

Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, konfirmoi të premten se është afër finalizimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në Serbi.

Ish-diplomati Agim Nesho, ka folur në lidhje me investimin që pritet të bëhet në Ishullin e Sazanit, temë që tashmë është kthyer në kryefjalë të mediave.

Nesho u shpreh se ky investim duhet të shikohet në këndvështrime të ndryshme duke shtuar se kreu i qeverisë Edi Rama po përpiqet të blejë influenca siç bën gjithmonë.

Lexo po ashtu Një miliard dollarë investim i dhëndrit të Trump në Sazan, Rama: Ishulli kthehet në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe

“Ky investim duhet të shikohet më thellë. Kjo qeveri ka 11 vjet në pushtet dhe investime e rëndësishme strategjike, ose kanë qenë të limituara ose kanë qenë klienteliste ndaj miqve të  tij. Investitorët kryesorë që janë të rëndësishëm për Shqipërinë, nuk kanë ardhur.

Ky është një dështim. Ne po gjykojmë se është një investim për interes të Shqipërisë apo paraprin disa lëvizje politike që Rama mendon të blejë influenca siç bën  gjithmonë. Shqipëria mund të bënte ashtu siç ka bërë Zvicra. Po të shikosh dhe këto investime e kthejnë Shqipërinë brenda një industrie shërbimi që t’u shërbejnë milionerëve të huaj”, u shpreh Nesho në Euronews Albania.