Seanca e jashtëzakonshme për prezantimin e programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025 do të vazhdojë nesër me fillim nga ora 11:00.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate nga Kuvendi i Kosovës.
E vetmja pikë e ditës në këtë vazhdim të seancës do të jetë “Prezantimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025”.
Ndryshe, javën që shkoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte kërkuar seancë te jashtëzakonshme për prezantimin e programit të Qeverisë.
Seanca e cila filloi të hënën do të vazhdojë të mërkurën, pasi opozita dhe pozita u morën sot vesh për ndërprerjen e debatit mbi programin e Qeverisë Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se vazhdimi i seancës së sotme do të bëhet ditën e mërkurë.
“Pas arritjes së konsensusit mes pozitës dhe opozitës, vazhdimi i seancës do të bëhet të mekurën, në orën 11:00”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, debati i sotëm mbi programin e Qeverisë Kurti 2 ka kaluar me përplasje të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës. /Telegrafi/