Nesër besimtarët myslimanë festojnë Fitër-Bajramin.
Por për dallim herëve të tjera nuk do të falet namazi i Bajramit nëpër xhamia, e as nuk do të ketë vizita familjare.
Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se nuk do të ketë masa shtesë, por vetëm ato që janë në fuqi.
Lëvizja e qytetarëve do të bëhet në bazë të numrit të letërnjoftimit të përcaktuar nga MSh-ja.
“Besimtarët e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre gjatë gjithë muajit për t’i zbatuar me korrektësinë më të lartë të rekomandimeve dhe MSH-ja beson se një mënyrë e këtillë e manifestimit të besimit do të tregohet edhe gjatë festës së Bajramit të Madh, për të cilën besimtarët janë udhëzuar gjithashtu, edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës që të manifestojnë respekt dhe kujdes duke u shmangur situata që ekspozojnë qytetarin para një rreziku siç është Covid-19”, thuhet nga MSh.
Ndërkaq, Myftiu Tërnava tha se respektimi i institucioneve dhe profesionalistëve të fushës është parim fetar kurse mbrojtja e shëndetit publik është obligim i secilit.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, përhapja me e madhe e virusit bëhet pikërisht gjatë vizitave familjare, në ambiente të mbyllura, ku ndërveprimi fizik është i afërt./Telegrafi/