Në parashikimin e motit për ditën e premte, të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës thuhet se fushat me presion të lartë atmosferik të cilat e kanë përfshirë vendin tonë do të mbeten stabile duke krijuar mot të vranët dhe me intervale me diell.
Po sipas të njëjtit parashikim, në orët e hershme të ditës në shumë zona të ulëta parashihet të krijohet mjegulla si rezultat i radiacionit dhe amplitudave termike.
“Nuk parashihen reshje gjatë gjithë ditës së premte. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe jugperëndimit”, thuhet në njoftimin për parashikimin e motit.
Ndërsa siç shtohet tutje, java e ardhshme paraqitet me kushte tjera meteorologjike, me reshje shiu, me pak intervale me diell por që në fushat termike nuk parashihen ndryshime të mëdha, përjashtuar temperaturat minimale ku mund të zbresin rreth zeros. /Telegrafi/