Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, pritet të mblidhen sërish nesër, për të diskutuar versionin përfundimtar të deklaratës që – për liberalizimin e vizave – do t’i dërgohet Brukselit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar deputeti i AAK-së, njëherësh edhe anëtari i këtij komisioni, Pal Lekaj.
“Po, nesër në orën 15:00 do të mbahet takimi i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme”, ka thënë Lekaj, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, pas takimit që mbajti të martën – me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli – vendosi të nxjerr një deklaratë ku do t’i kërkohej Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës të mos u mohohet lëvizja e lirë – si rezultat i mos ratifkimit të demarkacionit me Malin e Zi.
Në këtë takim të pranishëm nuk ishin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Puhie Demaku, e cila është anëtare e këtij Komisioni, është thënë të martën se ka munguar për shkaqe shëndetësore. Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqin, për të parë se a do të jenë pjesë e takimit të nesërm. Krasniqi ka treguar se Aida Dërguti do të jetë ajo e cila do ta përfaqësojë Lëvizjen në këtë takim. /Telegrafi/