Telegrafi

Nesër diskutohet për mandatin e Gruevskit, OBRM-PDUKM ende pa qëndrim

Për ditën e nesërme është caktuar seanca e Komisionin për çështje të Mandatit dhe të Imunitetit ku do të diskutohet për marrjen e mandatit të deputetit, Nikolla Gruevskit.

Megjithatë, grupi kuvendar i OBRM-PDUKM-së ende nuk ka qëndrim se si do të votojë në komision. Për imunitetin e Gruevskit, partia më e madhe opozitare vazhdimisht ishte kundër, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, i bëri thirrje opozitës maqedonase ta ndjekin shembullin e Pavle Bogoevskit dhe deputetët të votojnë sipas bindjes së tyre.

Seancën e nesërme e udhëheq nënkryetarja, Snezhana Kalesa Vançeva ndërsa kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi sqaroi se pret që përfundojë e gjithë procedura.

Seanca për marrjen e mandatit të Gruevskit filloi javën e kaluar, por nuk përfundoi për shkak të dorëheqjes së deputetit Pavle Bogoevski, i cili është kryetar i komisionit. Nëse kërkesa për marrjen e mandatit merr dritë të gjelbër në komision, atëherë në seancë plenare duhet të votohet me 80 vota./Telegrafi/