Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka postuar në profilin e saj në Facebook letrën e një fëmije 9-vjeçar, nxënës i klasës së tretë në “British School” në Prishtinë, të cilën ia ka adresuar presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.
Nëntëvjeçari i ka kërkuar presidentit të shtetit më të fuqishëm mbështetje në mënyrë që në shkollën e tij të mësojnë më shumë për Amerikën.
“Një nëntëvjeçar, nxënës i klasës së tretë, nga Kosova i ka shkruar një letër presidentit Joe Biden duke i kërkuar mbështetjen e tij, sepse ai do të donte të mësonte më shumë për Amerikën në shkollë. Nuk mund të jetë më e ëmbël se kaq”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Letra e plotë e nxënësit:
“I dashur zoti Joe Biden,
Shkelqësia juaj i nderuar zoti President,
Shpresoj se je mirë dhe e ke pasur një fillim të mirë në Shtëpinë e Bardhë.
Emri im është Diell Sadriu dhe jam nga Kosova, Prishtina. Jam nëntëvjeçar dhe jam në klasën e tretë në British School në Kosovë.
Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në. Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, sport dhe të tjera.
Pres që të dëgjoj së shpejti nga ju,
Gjithë të mirat,
Diell Sadriu”, thuhet në letrën e nxënësit./Telegrafi/