Nëntë vende të NATO-s, në Evropën Qendrore dhe Lindore, kanë ‘mbështetur një rrugë’ që Ukraina të bashkohet me aleancën dhe iu kanë bërë thirrje të 30 vendeve anëtare të rrisin ndihmën ushtarake për Kievin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri një lëvizje të papritur të premten për të aplikuar për anëtarësim të shpejtë në NATO, pasi Rusia aneksoi katër rajone ukrainase, transmeton Telegrafi.
Të 30 anëtarët duhet të miratojnë kërkesën për pranimin e anëtarësimit dhe Ukraina nuk ka gjasa të bashkohet me paktin së shpejti. Gjithashtu, të qenit një vend tashmë në luftë e komplikon kërkesën.
Nëntë anëtarët e NATO-s kanë kërkuar një përgjigje ndaj aneksimit pasi janë të shqetësuar se Rusia mund t’i synojë ata më pas nëse nuk ndalet në Ukrainë.
Udhëheqësit e Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë publikuan një deklaratë të përbashkët në faqet e tyre të internetit duke thënë: “Ne mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë, kërkojmë (që Rusia) të tërhiqet menjëherë nga të gjitha territoret e pushtuara dhe inkurajojmë të gjithë aleatët që të rrisin ndjeshëm ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën”.
Në deklaratë ata thanë se udhëheqësit “qëndruan në mënyrë të vendosur pas vendimit të samitit të NATO-s në Bukuresht të vitit 2008 lidhur me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës”.
Në samitin e vitit 2008, anëtarët e NATO-s mirëpritën aspiratat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për t’u bashkuar, por nuk pranuan të ofrojnë një afat kohor të qartë për pranimin e mundshëm të dy vendeve. Deklarata e së dielës nuk përmendi as një afat kohor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk dha detaje kur u pyet për apelin e Zelenskyt për t’u bashkuar. /Telegrafi/