Janë nëntë pacientë me koronavirus të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive, tre nga këta po trajtohen në kujdesin intensiv, ndërsa një 59 vjeçar është në gjendje kritike. Të gjithë këta kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese, përveç se janë të infektuar me COVID-19.
Infektologia Vera Berisha-Ndreja thotë për KosovaPress, se gjendja e pacientëve të tjerë është e mirë, ndërsa gjatë së dielës priten rezultatet edhe për tre persona.
“Në Klinikën Infektive janë nëntë pacientë Covid pozitiv, prej tyre në mjekimin intensiv janë tre pacientë. Dh njëri është i intubuar në gjendje tejet të rëndë dhe kritike mund të themi, ndërsa dy të tjerë janë me oksigjeno-terapi por vazhdojnë të trajtohen në mjekimin intensiv. Ndërsa, nëpër reparte kemi një pacient të rëndë që është me oksigjeno-terapi, ndërsa kemi edhe një pacient tjetër që kohë pas kohe duhet të asistohet me oksigjeno-terapi”, thotë ajo.
Berisha-Ndreja tregon se për moshën e personave me koronavirus që janë në mjekimin intensive.
“Pacientët që janë në mjekimin intensiv janë të moshës 59 vjeçare, 71 dhe 72 vjeçar. Ndërsa pacienti që është në repart, është gjithashtu prej pacientëve të rëndë është i moshës rreth 67 vjeçare”, shton Berisha-Ndreja.
Gjatë ditës priten rezultatet edhe për tre persona të tjerë për të cilët dyshohet se janë të infektuar me COVID-19.
“Pacientët që janë në mjekimin intensiv që të tre kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa pacienti që gjendet në repart përveç një hipertensioni që ka deklaruar dhe që e ka menaxhuar realisht, nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër”, thekson infektologia.
Ndërkohë, ajo bën thirrje që të vazhdohet me respektimin e masave, meqë sipas saj, ditëve të fundit është vërejtur që qytetarët po i bashkohen turmave dhe grumbullimeve.
“Unë kërkoj dhe ju lutem qytetarëve siç edhe janë dakorduar ministria dhe IKShP me BIK-un dhe me njerëzit tjerë kompetent, që t’i përmbahen rregullave, të mos kenë vizita tek familjarët dhe këtë festë ta kalojnë të lumtur por jo të grumbulluar”, shton ajo.
Deri të dielën janë konfirmuar 1,032 raste me Coronavirus, prej tyre 785 janë shëruar, ndërsa 29 të infektuar kanë vdekur, për të gjithë këta është thënë se kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.