Ka 20 ditë që prej hapjes së afatit kalimtar veror, por tek Barcelona nuk ka pasur zhvillime të reja sa i përket ndonjë transferimi.
Asnjë blerje nuk është bërë, kjo për shkak se blaugranasit ende nuk janë rikthyer tek rregulli 1:1 i La Ligas, ndërsa ka pasur vetëm tri largime, ndër to Marc Guiu (Chelsea), Sergino Dest (PSV) dhe Marcos Alonso (skadim i kontratës).
Rregulli 1:1 do të thotë se, shumica e lojtarëve do të jenë në gjendje të regjistrohen dhe kursimet e gjeneruara në paga dhe paratë që fitojnë nga blerjet mund të investohen ne blerje të reja.
Siç raporton gazeta katalanase SPORT, marrëveshjet për Nico Williams dhe Dani Olmo janë në rrugën e duhur dhe ka një besim që të paktën njëri prej operacioneve mund të përfundojë javën e ardhshme.
Për momentin, Williams i ka gjasat më të mëdha që t’iu bashkohet i pari. Një marrëveshje sa i përket kushteve personale është shumë afër, dhe Barcelona ka për qëllim ta paguajë klauzolën e tij të lirimit, sapo të marr aprovimin e tij.
Në rastin e Olmos, drejtuesit e klubit i kanë dërguar agjentit të tij një propozim sa i përket kontratës dhe ende nuk kanë marr përgjigje.
Blerja e ndonjërit prej këtyre lojtarëve do të ishte lajm fantastik për Barcelonën, ani pse është shumë e vështirë për shkak të problemeve të tyre financiare./Telegrafi/