Më shumë se 80% e trupit të 53 vjeçares A.J, nga fshati Prelez i Muhaxhirëve në Ferizaj, pësoi djegie javën që shkoi.
Plagët e rënda që dyshohet se u shkaktuan nga shpërthimi i një bombole të gazit në dhomën e saj të gjumit qenë fatale për të. Ky rast po cilësohet në QKUK si njëra prej djegieve më të rënda ndonjëherë.
“Gruaja ka ardhë në gjendje të rëndë, përqindja e madhe prej 80-90% e djegies ka shkaktuar edhe vdekjen e saj. Një prej djegieve më të rënda që moti nuk ka pas në QKUK”, thanë zyrtarë të QKUK-së.
E ndjera tashmë është varrosur në varrezat e fshatit Prelez i Muhaxhirëve, ndërsa njëra prej familjareve të saj i tha se nuk ka informata se si mund të ketë ndodhur shpërthimi i bombolës së gazit. Ajo tha se rasti ka ndodhur në orën 8 të mëngjesit javën e kaluar.
“Naltë u kanë në dhomë të vete edhe në ora 8, u ni krismë edhe në oborrin tonë. Vajza e saj ka dalë ka thirr se e ka pa nënën t’u u djeg”, rrëfen familjarja e A.J.
Ajo thotë se bombola e gazit ka shkaktuar vdekjen e saj dhe e ka dëmtuar dhomën e gjumit ku edhe ka ndodhur rasti. Por familjarët tashmë e kanë lyer dhomën sepse nuk kanë dashur ta shohin në atë gjendje.
“Kanë thanë një plin që e ka pas një bocë, 53 vjet u kanë, nënë e gjashtë fëmijëve. Dhomën e kanë ly, s’kanë dashtë me pa ashtu”, vazhdon rrëfimi.
Ajo thotë se A.J ka pësuar djegie të shumta dhe sipas saj vetëm fytyra i ka shpëtuar pa iu djegur.
Viktima ishte nisur për në QKU nga Ekipi i Emergjencës që kishte dalë në vendin e ngjarjes por dy ditë më vonë e njëjta kishte ndërruar jetë.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar policia.
Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt, i tha Expressit se për këtë rast policia ka dalë në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin ndërsa viktima është dërguar në QKUK, por ka ndërruar jetë pas disa ditësh.
Burri i të ndjerës dhe fëmijët gjatë ditës së sotme nuk ishin në shtëpinë e tyre, ndërsa fqinjët thanë se ata kanë shkuar me një të pame larg nga fshati i tyre.
Bombola e gazit që përdoret kryesisht për gatim të shpejt ka shkaktuar edhe më parë tragjedi nëpër familjet kosovare.