Pas dhënies së dënimit kundër aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje nga Gjykata Themelore, ka reaguar menjëherë nëna e të dënuarit me gjashtë vjet burgim, Atdhe Arifi.
Ajo shprehu shqetësimin e saj për këtë vendim, duke thënë se këtë rast nuk do e lënë me kaq pasi sipas saj ky vendim është i padrejtë.
“Këtë rast kemi për ta dërguar ku të ketë ligj në këtë botë. Kemi për të kërkuar drejtësi. Nuk ka Kosova fëmijë më të mirë, krenohemi me fëmijët tanë. Atdheun e kam prit ta dërgoj në shkollë e ta fus në punë se e kam shkolluar me shumë sakrifica. Atdheu nuk është i vetëm, as Frashëri, Egzoni e Adea…Pa asnjë dëshmi, marre”, ka reaguar nëna e Atdhe Arifit.
Ndryshe, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha janë shpallur fajtor.
Frashër Krasniqi është dënuar me 8 vjet burgim.
Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim.
Egzon Haliti me 5 vjet e gjashtë muaj, si dhe Adea Batusha me 2 vjet burgim./Telegrafi/